GJENDJA E KLASËS PUNËTORE NË SHQIPËRI

Titulli i këtij punimi evokon të famshmen “Gjendje të klasës punëtore në Angli”, të shkruar nga Fridrih Engelsi i ri më 1845. Shumëçka ka ndryshuar gjatë shtrirjes dhe zhvillimit të kapitalizmit në këta 171 vjet, mirëpo jo shfrytëzimi i punëtorëve. Madje në vende të periferisë së sistemit-botë kapitalist si Shqipëria trajtat dhe intensiteti i shfrytëzimit u afrohen fabrikave të Mançesterit, në një kthim pervers historie. Situata politiko-shoqërore shqiptare e njëzetepesë viteve të fundit ka fshirë ideologjikisht nga ligjërimi publik jo vetëm punëtorët si klasë, por dalëngadalë edhe punëtorin si emër të veçueshëm në mizërinë e identiteteve shoqërore. Shqetësimi ynë i kahershëm teorik e politik mund të shprehet me një pyetje: Çfarë e mundëson zhdukjen ideologjike të emrit të punëtorit/ëve dhe kauzës punëtore? Nënpyetje: Si është e mundur që të drejtat dhe interesat e sa e sa grupeve shoqërore artikulohen, diku fort e diku më dobët, kurse ato punëtore janë fshirë krejt? Pse vëmendja publike është më e ndjeshme ndaj fatit të një specieje të rrallë qukapiku sesa ndaj atij të një klase njerëzish nga më të rëndësishmet në shoqëri? Pyetjet e mësipërme mund të merrnin edhe karakter retorik, mirëpo ky nuk është manifest, por orvatje studimore për të kuptuar, ndër të tjera, edhe reduktimin në hiç të punëtorëve.
Një nga efektet e këtij heshtimi është se zëri i punëtorëve nuk ndihet thuajse fare në ligjërimin publik. Edhe ato pak raste kur interesat e tyre artikulohen, ata flasin nëpërmjet "përfaqësuesve" të tyre sindikalë, të organizuar në forma burokratike e korruptive, çka reflektohet edhe në masën e papërfillshme të punëtorëve të regjistruar në to. Ndaj synimi kryesor i këtij punimi ka qenë dhënia zë punëtorëve të cilët, përmes intervistave të strukturuara sipas kërkesave të kritikës së ideologjisë, kanë artikuluar problemet kryesore në vendin e punës dhe rreth mënyrës së jetesës: marrëdhëniet pushtetore me pronarin1, me mjetet e prodhimit dhe bashkëpunëtorët, rreziku në punë, tjetërsimi, e më tej, mjaftueshmëria e pagës, jeta dhe botëkuptimi shoqëror etj.